Menu

Miqësi e rreme - Tregim - Fehmi Kelmendi

User Rating:  / 0
PoorBest 

Tregim - Nga Fehmi Kelmendi - Sa herë rri me ty, kënaqem. Ndenja më pëlqen, sepse flet realitetin. Ke aftësi mendore. Fehmi KelmendiBisedon joshës. Përdor aforizma. Tregon anekdota. Bashkë me to gjëegjëzat të tërheqin vëmendjen. Çdo fjalë e jote meriton kujdes të veçantë. Prej teje dëgjuesi ka çka të mësojë. Sjelljet tuaja skofiare, me takt prekatar, lënë përshtypjen e një burri të matur. Tamam qokatar. Je i drejtë, i sinqertë dhe i ndershëm. Njeri më bujar se ti nuk kemi në anën tanë. Jo si Sali Pana, që dërdëllit pa lidhje. Ai vepron ndryshe. Veç llomotit kuturu. Tip i çuditshëm. Të shurdhon duke përsëritur shpesh të njejtën shprehje: A po merr vesh? Atë s`mund ta durojë  dot. Sapo e hap gojën, të duhet të ia mbyllësh. Zverktrashi është i pashëm, por pa karakter. Dhjakonari kot kapardiset.  Mbahet qibar, ndërsa rron si parazit në kurriz të huaj. Skordhi  di të gënjejë. Botën e mashtron. Madje, as paratë e huazuara borxhlinjve nuk ua kthen. Buzhelit, iliqet me kopsat xhaketën rreth barkut mezi që ia mbërthejnë. Meskini njihet pas farkës, i tha një mbrëmje Zik Noprani rrondokop nga lagja e Galanëve, të  fshatit Reshan, të Anamoravës, dytëshorit të tij, Dik Apërllanit.

Këta dy pleq ishin më të mençurit e asaj krahine. Vendësit i mbiquanin me trajtën deminutive të emrave të vërtetë: Sadik-Nazik dhe me llagap në vend të mbiemrave: Thaçi-Gashi. Si njëri, ashtu edhe tjetri, kishin anëtarët e familjes  numërikisht  të barabartë. Qëndrimi i tyre korrekt ndaj secilit ua dyfishonte autoritetin. Vetë respektoheshin reciprokisht. U përmbaheshin rreptësisht normave tradicionale dhe vepronin konform me zakonet e mjedisit ku jetonin.

-Gëzohem që të pashë! Toke.  Ka kohë që s`ke qenë. Humbe! Përse? Mendoja se ndoshta je  hidhërua. Mirë bëre që erdhe. Të lumtë! Po ç`erë të pruri? Gratë thonë: ”Paska ngordhur diku një ujk i madh”. Tani ma hoqe mërzinë. Bëfsh hajër! Qofsh shëndoshë! Duku më dëndur! Mos më harro! Dëshiroj të kemi kontakte të rregullta. Fjalët që mi drejtove janë më të ëmbëla se mjalti. Ato shërojnë plagë. Megjithatë, Xhemil Xhuxhit duhet pranuar. Atij i takon lavdia. Ai është më i zoti prej nesh. Krejtve na kalon. Kë e grishin në pajtesa mua apo atë? Jepja  hakun, Ziko! Besoj se më kupton. Unë të çmoj si mik me vlerë të rrallë. Paç uratën! A sheh se jam plakur e fishkur? Matufin kush e bën mall? Kush e do. Askush. Rashë viktimë e halleve dhe e derteve. Ndjej lodhje jashtë mase. Më zë ngërçi. Më mundon gulçi. Këndirrem. Ushqehem veç me kos. Qyshse  mjeshtërit nisën të rrëmihnin nëpër trupin tim, e mora tatëpjetën. E shkatërrova veten. E ngrysa jetën. Assend nuk më ndihmon. Mungon çdo gjë që ndikon pozitivisht në organizëm. Tejet jam dobësuar. Asnjë organ nuk funkcionon normalisht. Le të mbes mes nesh, as Ferat Goli, që ngarritet, nuk vyen  më. Hallku i kalon  për skaj  dhe hiqet se gjoja nuk e vëren. Kështu na qenkanë ligjet e natyrës, mik i dashur, dikujt puna i shkoka së mbari, dikujt së prapthi, iu përgjigj Dika.

- Gabon Dikë. Ti  je  ende i fortë. Qëndron si shkëmb. Epesh si thana, por nuk thyhesh. Dukesh brus. A e di se sa larg është  Dupilla? Ti shkon atje dhe prap kthehesh për gjashtë orë. Kurse të tjerët vajtje-ardhje i bëjnë  rrafsh tetë orë. Besa, disa  edhe më shumë. Yt atë, ndonëse i moshës së ikur, ecte si kokërr. I ndjeri kur vdiq  kishte nëntëdhjetë e dy vjet, por dukej sikur shtatëdhjetë vjeçar. Atavizmi luan rol. Mbahu Dikë. Trimi nuk dorëzohet. Ke  qenë, je dhe mbetesh udhërrëfyes, frymëzues dhe shembëlltyrë i ynë. Si të atillë edhe të nderojmë. Askush tjetër, pos teje, nuk na mësoi të themi: Duajeni atdhenë si shqiponja folenë! - iu drejtua Nazif Dalleci duke çepkatur prushin me mashë në mangall të bakrit.

- Rrofsh e qofsh, o patriot i shquar, me tipare burrërore, se ti na ke zhvilluar ndjenjat kombëtare! Na ke rrënjosur dashurinë ndaj atdheut  dhe na ke edukuar ashtu siç duhet, ndërhyri Qamil Neza, fillnisësi i formimit të shoqatës bamirëse ”Ngadhnjimi”.

Arif Kojnarja ofshani thellë. Ai dinte shumë përralla e kopalla. Ia kënda fërlia, kryelana dhe trahana. Bukën e hante me pekmez, hoshafkë e pestil. Naip Orizarja e qortonte pse  lëpinte atë që  pështynte. Beshir Besho dhe Zija Gaba përvesheshin. Izet Ruhani filloi të rrëfente:

- Nelo Çela thurr gardhe. Lam Buqi herr të lashtat. Bido Taka shtegton. Dalan Rako shtëton. Tafil Tifa merret me çikla-mikla. Prilli mbulon gurët, maji mbush çeturët. Ziba e Zybejdës mat basme me pëllëmbë e bërxhik. Ajo pa hir e zu dorën pisk. Çivia e Opajës është e njohur. Gjuha kocka s`ka. Snobisti është hipokrit. Puna e dëfton njeriun. Aty ku ka tym, ka edhe zjarr. Pemët cangë nuk hahen.

- Kush zgjedh mbledh, tha Isa Kasapi dhe shfaqi dëshirën  të merrte pjesë në mbledhje të odës.

- Po deshe eja, i tha xha Dika. Dimër acar. Gësterrë e fraq. Goreni fluronte furishëm. Strehët e çatisë kishin vënë qirinj të mëdhenj akulli, që vareshin si stalaktitet. Ajri i ftohtë përhapte një zë të ngjirur që vështirë dallohej. Kthjelltësinë e tij e pengonte disonanca e cingërimës së këmborëve të bagëtisë përzier me tingujt e çiftelive që valëviteshin harmonishëm. Matanë Përroit të Krastës trishtueshëm jehonte onomatopeja. Njëkohësisht honet e shkëmbinjve ushtonin rrufeshëm prej gurgullimës së burimeve të bjeshkës. Në ahur të fqinjit demat byryteshin. Shqerrat pëllisnin. Qenjtë lehnin pa ndërprerë. Dikurë qartë u kuptua se dikush përjashta thërriste:

- O Dikë,o Dikë!

- Hajde, hajde, këtu jemi! Prit se erdha, bërtiti i zoti i shtëpisë. Zdërvjellshëm brof u çua, turr e vrap doli në oborr dhe shpejt e çeli derën e sokakut. Ishte Halim Qosja, udhëheqësi i kaçakëve nga Moloshani. Me të hyrë brenda nikoqiri e mori ngryk musafirin e shtrenjtë duke i dëshiruar mirëseardhjen dhe e uli në nim, mu në krye të dhomës.

- Bora po resh, miku po qesh, tha Hodo Bazi.

- Demirali Mënja ka qenë mësues i parë në këtë rajon dhe nxënësve u thoshte: ”Gjuha shqipe është porsi kënga e bilbilit”, tregoi Halim Qosja. Ne më parë dhamë betimin, pastaj rrekëm armët. Disa qëndrojnë anash dhe vetëm bëjnë sehir. Ka edhe të tillë që i shajnë luftëtarët e lirisë. Ata zoti i verboftë. Më falni që ju ndërpreva muhabetin. Vazhdoni, shtoi i njejti.

- Më parë na trego se a ke ngrënë darkë, pastaj e vazhdojmë bisedën. Mos u ngushto fare. Buka marre s`ka. Theje urinë. Kemi mjaftë kohë për të debatuar. Nata është  jona, ia priti Dika dhe pasi dhezi eshkën me strall e uror  e futi në cigare.

- Ndal cazë le të ngrohet e shkathet, se qenka mërdhirë i gjori, këshilloi Deli Agushi.

- Mërdhirë e ngrirë dhe bër koçan, shpërtheu Dan Dina, kushëriri i nipit të Zikës, Behram Beterit.

- A u lodhe duke ecur në këtë mot të lig, e pyeti Adem Hallaçi.

- Duket i verdhë si dylli, ja behu Tahir Tërstena, daja i djalit të Dikës. Kthina qe mbushur plot me kreshnikë. Shumicën prej tyre e përbënin atdhetarët e mirëfilltë. Të pranishmit ishin të disiplinuar. Mbizotëronte një atmosferë  e ngrohtë  tolerance. Kryetari i katundit, Fejz Rrahmani ua mori lakminë. Pas një pauze të shkurtër i rrëshqiti fjala Nijazi Xigidanit:

- Ngjarje sensacionale. Ishim duke i qajtur hallet tona, baca Halim. I bajmë gajlet e huaja, thuaja se tonat i kemi rregulluar. Po prashitim në ujë. Interesohemi për dekorët politikë, e ata janë duke fjetur dhe ëndërruar. Tjerrim kot. I biem bosh daullës së shpuar. Mundohemi pa lidhje. Kërkojmë fijen lyç të lëmshit të koklavitur. Qepim e shqepim. Gris gjirin, arno peqirin. Mikut ankoju, armikut lëvdoju. Trimi i devotshëm hesht, trimaçi krekoset. Dezertori dhe tradhtari janë binjakë. I pasuri tallet me të varfërin. I marri ecën rrugës qorre. I urti kapet për trungu, i trenti për degë. Gjarpri në gji nuk futet. Buka e botës, laku i kokës. Fjala e burrit, pesha e gurit. Më e vyeshme është cilësia se sasia. Besa e shqiptarit si purteka e arit. Ç`është më mirë: të jesh dinamik apo statik? Çështja kombëtare është parësore, përfundoi Xigidani.

Me urdhërin e Dikës, biri i tij, Fata e përcolli Beqir Banin deri te çezma e Liman Agës. Kur u kthye i raportoi të atit:

- E kreva porosinë  me ndërgjegje.

- Ata që nuk e përdorin fare gërmën “Y“ mykut i thonë mik. Hipi ujkut e ndjelli qent. Luftëtari shenjëtar qëllon me tytë e me qytë. Im dajë,  Nevzat Spahija lufton në ograjë. Haki Hutka fshehet pas lisit. Elez Pipi bën jetë askete. Ibishi, dervishi, çervishi... Kadri Paçarizin dhe Xhevat Hajrizin i vranë prapa shpine, deklaroi Nuhi Dogani, i cili gjatë të folurit shërbehej me eufemizma, romuze, homonime, sinonime, metafora, hiperbolla e shaka gjithfarësh. Enigmat i zbërthente. Kompozitat i cungonte. Ndërsa barcoletat nuk i kuptonte. Të folurit e shoqëronte me gjeste dhe me mimikë, por pa ortoepi. Abid Doli duke qeshur pakej. Abdulla Binanja kotej. Rexhep Kukla nunuriste.

- Mos i nguc. Lëri të qetë, i tha Musa Jahja mulla Ademit, i cili atyre u afrohej dhe në vesh ua bënte duke imituar këndesin ki-ki-ri-ku. Habib Haka bënte grimasa. Mehmet Madi shprehej banalisht. Osman Maloku i zemëruar i bërtiti:

- Fjalë kësisoj nuk dua të dëgjoj.

- Gjuha kocka s’ka, ndërmjetësoji, Nezir Jaka.

- Hasip Shuti dhe Hamid Shuli lareatë denoncuan Habib Turtullin, lajmëroi Haredin Gorga.

- Mikel Gjonin organet e pushtetit e vënë në fallaka, sepse mëtoi mëvetësinë, njoftoi Shahin Liça, i veshur spic me rroba kombëtare.

- Lali Lapushin e torturuan pa mëshirë, dëshmoi Selim Rruta.

- Ahmet Qafëtulit ia nxorrën dhëmbët me darët e farkatarit, rrëfeu Sadri Lunga.

- Zekir Zukën e rrahën deri në alivanosje, por kësaj here armikut i hasi sharra në gozhdë, e kaplloi hataja dhe e gjeti belanë, deklaroi Emin Bina.

- Ç`të mbjellësh, do të korrësh, ia përkujtoi proverbin popullor Sahit Karapanxhës, Rifat Majanca.

- Sinan Sopi delinxhi e kumarxhi, Zymer Zeka gënjeshtar e hileqar dhe Azem Kregëza spiun e imun merren veç me gjueti. Merak i kanë: trumcakët, pubëzat harabelat, mëllenjat, mjelmat, turrecat dhe thëllëzat. Këta lakej dejkave ua prishin çerdhën. Horrët i trazojnë dhe i detyrojnë të ikin larg vendit, tha Gafurr Gusha .

- Për poshtërsitë e tyre, që s`i ngre kandari, pushtuesi i dekoron, i shpërblen dhe i gradon, vërtetoi Halit Kekinci.

- Ata janë forbëlat e kombit, tha Besim Brahaj.

- Mikrobet patogjene i pafsha shtatë pashë nën dhe, u shpreh Abdyl Opaja.

- Më vjen krupë kur përmenden snobistët, mistrecët dhe të paskrupujt, ndërhyri Bahri Bajra.

- Arrivistët janë gazi i botës. Vallë a do të ndëshkohen sipas shkallës së gabimit këta skotë e amorfë? pyeti Basri Mabi.

- Eskili më shumë se tradhtinë nuk urrente tjetër, tregoi Samet Zelça. Qamil Çardaku iu drejtua Bali Tufës:

- Dua të pyes?

­- Hë, fol.

- Si e vlerëson Rabit Rudin?

- E konsideroj për burrë të mirë, sepse ai gjatë tërë jetës kurrë s’ka pushuar së vepruari.

- Bedri Bluda është aq koprac, sa që as mëkatet nuk i falë. Atij nuk i besohet, sepse rrenë jashtë mase, të thanë rrëzalli, tregoi Saqip Mushmolla.

- Edhe Bakush Bitoshit i ra pahaja. Ky mistrec sillet si kameleon. Laritet si servil. Kecat bërnjakë i shet në pazar, e të hollat i bën rrush e kumbulla, tha Riza Kodra. Zahir Depca që pinte veç dhallë e pyeti Ramë Gosponicën:

- Ramo, a është e vërtetë se toka rrotullohet rreth vetes dhe rreth diellit?

- Selishta bën bostan, Llapinca kunguj. Nuk mbahen dy shalqinj nën sqetull. Unë di vetëm për afellin, perihellin, eklipset, sanatadita, polet e tokës dhe solsticin, iu përgjigj Rama, vëllai i Murat Tabanit.

- A e ke njohur Aziz Shurdhën? - e pyeti Dikën, Maliq Braha.

- Si jo. I shkreti ka qenë bonjak. Përditë gdhihej e ngrysej në punë. Ishte mjeshtër tejet i aftë. Maronte edhe hambarë. Qe dhjetë vjet që e kalb toka. I ndjeri nuk la trashëgimtarë. E birsoi djalin e Fazli Sylës, Demën, i cili bashkë me Nafiun dhe Remin, të bijtë e Rufi Tatarit, akoma pa shkelur në moshën madhore vajti në Turqi, ku edhe vdiq, iu përgjigj Dika me qeleshën dahuke, këmishën dërmon dhe çorapet copë –copë.

- Taip Teli,që parandien lehtë ndërrimin e motit, imiton zërat e shpezëve dhe të shtazëve. Nexhip Potera ngul dhe shkul hunj nëpër vreshta. Durak Dudi mbjell grurë e thekër, korr mel e egjër, tregoi Vasuf Garja.

- Unë kij hardhia, mbledh shermend  dhe krasit plepa, tha Melo Bajo.

- Ali Mema banon rrëzë malit, Kamer Daci buzë detit, ndërsa Isa Cina mes të fushës, kumtoi Ramiz Raka.

- Ika, tha Musa Gega.

- Rri edhe pak, e luti Dika.

- Mos u tall Musë se nuk jemi duke luajtur cicmic, i bërtiti Kasem Kastrati.

- Po vjen Gani Pikla me soj e sorollop. Sulejman Ashkia është tip sanguin. Kam frikë se do të zihen, tha Latif Shurdhani.

Ramush Tuli i hapi sytë na. Demir Dudukut nga cigarishtja e qelibarit tymi i duhanit i dilte fjollë-fjollë dhe  notonte në ajër si retë e zeza shtëllunga-shtëllunga në qiell. Hamdi Gangën e kishte mbuluar velloja e heshtjes. Bexhet Bixha sodiste. Hetem Ukës shpirti i digjej si pisha. I kujtohej tragjedia e pashoqe që u bë emnesë.

- E di luga se ç`ka vegshi, tha Naxhi Keraj.

-Ajvaz Mala e kritikoi Jakup Murselin pse e kishte parë njëherë duke përshëndetur Rahim Jahën.

- Vesel Shita, Jakupin e mori në mbrojtje duke pohuar se Rahimin e kishte ndeshur gand.

Anëtarët e kuvendit të mbledhur tok një çik pushonin.Oda dukej e shtemët. Pas ndërprerjes së shkurtër të bisedës, Raif Derri e theu akullin:

- Rashit Çalës i kishte ra damllaja,Vehbi Guxhës lia e qenit, kurse Nebi Cungut zgjebja.

- Rabit Dushku e pësoi edhe më keq, tha Namon Meça.

- Ismail Reka vdiq i uritur,ia preu fjalën ende pa e përfunduar, Neki Nishani.

Nazif Dalleci propozoi që përsëri të inkuadrohej  xha Dika.Të gjithë, pa përjashtim, u dakorduan.

- Çka po pret Dikë. A dëgjove çfarë tha Nazifi? Merre fjalën, i bërtiti Zika. Dika mërroli vetullat, diç pëshpëriti duke i lëvizur buzët dhe filloi:

- Prej pleqëve mësova se të parët tanë, pellazgët, kreatorët e qytetërimit evropian, kishin ardhur nga Atlantida dhe ishin vendosur këtu tridhjetë shekuj para Krishtit. Por, si ata, ashtu edhe ne përjetuam fatin e njejtë duke vuajtur mizorisht. Historia na dënoi. Të huajt na pushtuan. Gjatë gjithë periudhave historike u detyruam të mbrohemi nga sulmet e0 agresorëve barbarë. Falë qëndresës sonë heroike, brez pas brezi, i shpëtuam shfarosjes totale. Pushtuesi i sotëm duke na masakruar bën orgji. Liria nuk dhurohet, por me gjak fitohet. Njerëzit ndahen në dy kategori: në atdhetarë dhe tradhtarë. Disa qëndrojnë me kokë përpjetë, disa me kokë tatëpjetë. Dikush qesh, dikush qan. Të mirat pikojnë, të këqiat reshin. Virtyti i shqiptarit dallohet prej virtytit të sllavit. Secili popull respekton ritin e vet të varrimit. Im gjysh Berat Deda-Thaçi, hollësisht e shpjegonte gjenealogjinë tonë kombëtare.

- Të lumtë, Dikë! Na ke freskuar trurin. Zoti të ruajt, i tha Zika dhe pasi mori leje ja krisi:

- Sipas legjendës, Ur-Shanabi lundërtar drejtoi barkën gjatë përmbytjes së madhe dhe me urdhërin e hyjneshës Ea shpëtoi nga kataklizma të birin e Ubar Tutuit, stërgjyshin e Gilgameshit, Utnapishtimin nga qyteti Shuripak, në brigjet e lumit Eufrat, në Mesopotami. Buda dënoi Tantalin. Brahma shkroi Mahabharatën dhe Ramajanën. Marduku themeloi pagodën. Shamashi sundoi botën. Jahve rrënoi Sodomën dhe Gomorën. Abrahami ndërtoi tempullin e Kabës. Faraoni Ramzes ia vodhi shkopin magjik Moisiut pagan. Davidi vrau Goliatin. Bashashushinaku ka qenë mbret i Elamit. Dionizit vreshtar helenët i thurën ditirambe. Hipnosi plaçkiti Abderën. Epimeteu çeli kutinë e Pandorës. Akili preu perin e Ariadnës. Agamemnoni vallëzoi rreth kullës së Babilonit. Odisenë Itakas e mashtruan këngët e sirenave. Orkestrën e orfejve e dirigjoi Apoloni. Leka i Madh dëshifroi hieroglifët e Egjiptasëve të vjetër. Pirrua projektoi piramidën e Keopsit. Teuta u lind në Dodonë. Titanët tancuan me valkirat në Valhalë. Pont Pilati kryqëzoi Jezus Krishtin në Golgotë. Venusi dridhi tokën. Virgjili qante me dënesë. Dy luftimet midis gladiatorëve dhe bishave në arenën e cirkut romak argëtonin skllavopronarët skandalozë. Dante Aligieri pëlqeu  Taxhmahalin.

Vedat Lisi bënte pyetje lakonike, Amir Hoti jepte përgjigje të sakta. Vezir Beha diskutonte logjikshëm, Hajdar Kropi fliste prapë e mbarë. Memish Tropi ua kripte mendjen bashkëbiseduesve duke predikuar misticizëm. Jetish Jaka thoshte se njeriu ndryshe ia ditka vlerën pasurisë së fituar prej asaj të trashëguar. Nazif Dalleci galdohej. Qamil Nezën  e qëmtonte gjumi. Por fraza metaforike e Halim Qosjes ia zgjoi kërshërinë:

- Kam frikë se mund të shkretojë. Nëse s`e qëlloj kërkoj ndjesë. Sidoqoftë e shkrepa si rrufeja. Vera nuk zëvendësohet me dimrin, as pranvera  me vjeshtën. Jeta dhe vdekja janë dy fenomene natyrore të kundërta. Okupatori tenton të arsyetohet me kujë e me bujë. Qoftëlargu prish, nuk ndreq. Memecët merren vesh me pantonima. Pushka e zbrazët tremb dy vetë. Mera e luleve freskon shpirtin. Me të thatin digjet edhe i njomi. E di gomari se ku e vret samari. Çakalli bën kërdinë, ujkut i del nami. Oka matet me derhem, kilja me gram. Pula e fqinjit duket patë. Diku në një vend të pa emër rrena dhe e vërteta puqen. Defetistët devijojnë nga rruga kryesore. Pesimistët vdesin para kohe. Po t`i lëmë llafet e të kalojmë në vepër, përfundoi Qosja.

Qahil Qoku ngriti kokën dhe dha shenjë.

- Urdhëro dashamirë, iu drejtua Dika.

- Po më dhimbëset koha që jemi duke shpenzuar  kot. Pse lodhemi aq rreth teorisë kur krejt e dinë se ne shqiptarët jetojmë në këtë trevë që nga koha e baba Qemës. Me kaq e kreu Qoku.

- A ka qenë më vrik Nazim Gala? e pyeti Dikën, Iljaz Korbi.

- Jo! As dje, as njëditëzaj, iu përgjigj Dika.

- Harmonia dhe hasmëria nuk gërshetohen dot. Dashi pranë ujkut dobësohet. Kali i kuq e ka një huq. Ngacmuesit akcesorë prore na shqetësojnë. Tradhtari mbrehet vetë në zgjedhë. Ra fyti, na mbyti. Më afër gusha se fusha. Bungu, qarri dhe shpardhi janë farefis. Njerëzit tanë ikin si luzmë blete dhe humbasin duke shkuar larg përtej detit, tha Asim Suka.

Pas tij ia dha Laz Lurka:

- Bashkë me Jonuz Çelikun dhe Destan Çukarkën kam ndërtuar shtëpia. Im vëlla, Shema me Shaban Shapin, çelte pusa. Motra Zilë na përgadiste drekën. Ka femra të zellshme, ka edhe përtace. Disa janë, qe besa, edhe  më të vyeshme dhe më trimëresha se shumë meshkuj. Shembull konkret kemi tajën e Cenë Ollurit, Nifën. Ajo është amvise në zë. Veç kush ja ka inatin. Herët ftillon. Drutë vetë i shkurton. Bukën e pjek me saç në çerep  më mirë se furrëtari. Me njërën dorë tund, me tjetrën shtyp speca. Njihet si magjetore e klasit të parë. Gjellën e bën të shijshme. Hollon edhe  peta. Çdo gjë i vjen ndorësh. Thur xhempere, maron dantella. Tjerr e qëndis. Lan e shpëlan. Shtëpinë e mbanë pastër. Punon paq. Është e shpejt si mëqiku. Ruan edhe buba. Nga fshigëzat e tyre nxjerr fijet e mëndafshit. Ka trup të drejtë si qiparisi. Është e bardhë si biluri. Fytyra i qesh nuri. Gjalmëzeza vishet kuq e zi. Çifti nuk i gjendet. Safi ari. Por, punët e grave janë fyl, si të Sizifit.

Kontrast i saj është Qama mondane. Përtacja përton të punojë. Gërdallja ngarritet. Tërë ditën i fërkon duart. Veç lyhet e ngjyhet. Krihet e lëmohet. Flokët i lanë  me humus pastaj i njgyen me këna. Fytyrën e lyen me afratë. Nga pasqyrja s`di të ndahet. Herë vesh dimia kumashe, herë fustan kadifeje me af, herë këmishë tyl, herë taftaje. Gjoksin e ka plot me noca. Gatuan shkel e shko. Fshinë si kudra me bisht. Ngrënat kreshmore i bën pa cive dhe pa narden. Harron t`u hedh  dhe kripë. Gjellat spirilëng, të samta dhe të amështa nuk i hahen. Bile edhe macja vetëm u merr erë por nuk i shijon. Djathin e zë keq. Në vend të mullëzës, uthullën e përdor. Ra ajo, motra e saj,  Xada,  mbeti lëneshë. Bufalaqja me mollëzat e qitura. Është e shëmtuar,por duket rrunëz. Ndyranaqja flet fushk e dushk. Burrin e shan me rroc e me koc. E nëm dhe hedh vrer në të: laperi, laroshi, leprushi, ligaçi, tullaci....

Llapushin e pafsha  ku bren miza hekur. Bashkëshortit të saj, Tatush profanit as palla nuk i ha. Ajo e shan, ai veç zgërdhihet dhe qesëndiset.Si thonë: e gjeti tenxherja kapakun. Tatush Butani e mban për hir të dy nishaneve simetrike që ka në faqe. Kur u martua Tatushi, prindërve të Qamës: Munir Hazirit dhe Binaze  Kalës u dërgoi rushat e peshqeshe. Për dafrungë bleu pesë teste lugë druri, katër tava argjili dhe tri sofra të mëdha. Ftoi mbi njëqind meshkuj dhe aq femra. Theri dy roshanë e tre kotorrë. Aso dasme nuk mbahet mend. Celebrimin kurorëzial e bëri me ceremoni në mënyrë solemne. Krushqit sollën shumë vigje. Por, Qama abrashe, kushedi se pse, e urrente të shoqin. Siç duket, ëmë e atë tepër e kishin lazdruar të bijën e tyre që në fëmini. Kur e përcollën nuse e ormisën katër vajza. Prindërit me vete i dhanë shumë pajë. Dhe, sa herë që e vizitonin, i çonin pemë me hejbe. Qama ka një vajzë bilonjë me emrin Bajzë. Aq është e bukur, sa që ndrit si aureolë. Thua se ndesh në nimfë, apo në kokonë. Perëndia e bekoftë!

E, re e vjehër shkojnë çakthi. Njëra tjetrës rrugën s`ja lëshon. Qama një ditë e pyet të vjehrën Tushë:

- Loke,a ke pirë ndonjëherë gjatë jetës sate  musht, a ke hëngër dardha të ndulkëta dhe a ke parë arrë gajgë me pesë thelbinj?

Tusha i përgjigjet:

- Lum unë për ty,mori shtriga e natës. Ç`flet  moj kështu? Si nuk të vjen turp të shtrojshë kësosh pyetjesh? Zoti të marroftë! Shihe këmbëkleçkën. Oj, stërdhëmbëshe, bjerraditëse dhe grindavece, djali im ka faj që ty të mban për grua. Me pasë ra te ndonjë hundëlesh e kishe parë se nga sa shitet tërshëra. Gjen shesh e bën përshesh. He t`u thafshin krahët. Të shitoftë ora, të marrtë mordja. Ngjelkë si ti kund nuk gjindet. Dikush ka një, ti ke dy djaj në bark. Gjuhën pirajkë. Leh si bushtër. Shko te Binazja e le të përkëdhel si foshnjën. Shporru smirake! Baju. Mos ta shoh shurratin, bajate. Kështu Tusha e kërleshur duke turfulluar nga inati e bëri byk të rejën Qamë.

-As ti nuk je pite, ia ktheu Qama e tronditur. Gruaja plakë je rrakatë. Krijon bejte. Sheston pallavra. Mizën e bën buall. Mua më këputën kryqet duke punuar, e ti lëshon ortek romuzesh. Fyen e ofendon. Mos u përzi në kurorën e të tjerëve. Kujton se më mbanë nën tutelë. Ti je gjak i huaj...

- Më shurdhofsh, i bërtiti Tusha dhe vazhdoi: E reja e Kilës nuk është si ti e thartë cicel dhe e hidhur pelin. Qysh nuk pata fat me e marrë atë për djalë, po ty kërcurë. Si e nise e grise. Qama e nervozuar  e këputi vargun me rruza në qafë dhe shpërtheu: - Haxhuzja plakë. Shihe vejushën njëherë.

- Plaç! Hesht, po të them ,se pasha zotin, ke për të ma parë sherrin. Largohu prej meje tutkune, ia ktheu Tusha e ngrefosur dhe hoqi napën nga koka.

Shamata larg jehonte....

- Dje punova te Murtez Murrizi. Ngarkova e shkarkova. Kësaj i thonë hamallëk. Sot e kam pushim. Nesër do t`i qethi dhent e Harun Hashanit, tha Nasuf Shoshaja askush pa e pyetur.

- Dhentë apo qenjtë, e pyeti me ironi Tafil Tufa, nipashi i kryetarit të  Bashkësisë, Tajar Tabanit dhe ia shkeli syrin Esat Norçës.

- Ferid Nika paraqitet determinist, vetë aderon fideizmin. Kritikon Edip Pelivanin, aludon në Mexhit Katallanin. Behar Basha me botëkuptim panteist, preferon agnosticizmin.Rrethi  i tij e konsideron si të fantazuar. Zenun Qulli empirist, propagandon skepticizmin. Galip Gaca fetishizon gnoseologjinë. Sefer Kitra autodidakt lexon vepra të autorëve antikë. Nelo Nasin e entuziazmojnë esetë filozofike të Aristotelit dhe fejtonet politike të Demostenit, tregoi Durmish Bushtaja.

- Miqësi e rreme na doli, o Teki Tafa! Paskemi qenë të lidhur me pe merimange, i tha Nafi Guta. Tekiun e prekur në sedër e kapi mornica. Nxori koburën dhe ia drejtoi kundërshtarit. Gishtin e mbante në këmbëz, por arma nuk i shkrepi. Fshatarët u bënë tym e mjegull, informoi Abas Masoni.

- Medet për ne! Kemi ra në letargji. Mjerë ai që zihet me vëlla, tha Tufan Topuzi.

- Po vjen Liria, bija e dëshmorit, Munib Murtajës, dha sihariqin kasneci Dali Trupi. Të rinjtë e të rejat desh u trenuan nga gëzimi. Ngazëlloheshin duke kërcyer hopthi. Prapa tyre brohoritnin gra e burra.

- Tani këndojeni himnin e flamurit të Kastriotit se erdhi vakti, urdhëruan Dika dhe Zika. (Biel, mars 1997)

Vlerësime kritike

DO PEMË TË HIDHURA TË MIQËSIVE TË RREME

Tri apo katër vjet më parë, ish-studenti për aktor, Resul Jusufi, nga fshati Buzec (Opojë) i Prizrenit, më ofroi të isha oponent i dramës së tij të parë “Nesër” apo “Histori pa histori”. Tjetri oponent ishte regjisori i shquar Pirro Mani. Më pëlqeu fort. Ajo u botua, ndonëse për habinë time, drama ende nuk e ka parë dritën e skenës edhe pse paraqet voli skenike vetëm me ato tre personazhe që kuvendojnë mes shoqi-shoqit, në një skenë fare të rëndomtë, që s’ kërkon as salltanete e as shpenzime. Në dialogët e dramës, personazhet veç flasin e llomotisin, veç parafytyrojnë e planifikojnë, veç rrahin gjoksin e shajnë të tjerët, veç përrallisin e shtyjnë punë duke e lënë gjithçka për nesër, nesër, nesër...

Asosiacion ideje

Nuk di përse m’u kujtua ajo dramë pikërisht teksa po lexoja e rilexoja tregimin e shkurtër “Miqësi e rreme” të prof. Fehmi Kelmendit, botuar më së pari në gazetën ”Republika” të datës 14 mars 1999, në faqet e suplementit letrar. Edhe disa prej personazheve të tregimit më kujtuan ata tre kuvendarët e dramës “Nesër”. “Asosiacion ideje” thonë frëngët për të tilla raste. Arti doemos lypset të merret gjatë dhe intenzivisht me problemet e mprehta të jetës, të shoqërisë dhe të individëve. Duhet të merret, përderisa mendësitë e vjetëruara hasen gjithandej jetës sonë dhe mezi ikin e lozin vendit. Edhe rrodhet kur të ngjiten, nuk shqiten vetiu. Jo më ato rrodhe që ia kemi shtuar vetë rrojtjes sonë e që s’kanë për t’u shqitur kurrë vetiu. Do zakone të moçme sa drunjtë dhe cungjet e pyjeve më të lashtë, sikur na thotë autori, në në vend që të firasen, sikur çelin sythe të tjera, na përshtaten edhe nëpër odat me “Air Condition” dhe sikur na thotë: ”Marrim edhe ne frymë me ju”. Pse jeni edhe ju vetë që na e zgjatni gjallesën dhe s’keni fuqi të na braktisni! Tehu i kritikës së autorit është i qartë, i mprehtë dhe tërë nëntekst. Madje, në lexim të parë edhe nuk e shtin lehtë nëpër mend se ku do të dalë autori. Veç njerëz që kuvendojnë me shoqi-shoqin për gjëra fare të rëndomta dhe të rastit. Përmes një narracioni sa të thjeshtë në dukje, aq edhe me nëntekst të menduar, autori ka shpalosur si nëpër sekuencat e një filmi realist disa nga tipat më të veçantë, por njëherazi edhe më përgjithësues të gjendjes sonë. Në fshatra e në qytete, në mjediset e trojeve tona stërgjyshore, por edhe në emigrim e diasporë.

Përpara nesh kalojnë e parakalojnë me një natyrshmëri të spikatur kohëvrasësit dhe fjalëlumët, ëndrrathurësit dhe shpresëkapuçët, mullixhinjtë që bluajnë fjalë dhe të tjerë, më të aftë, që qesin rrena prej tyre, shpifatarë, lloj-lloj, por edhe të tjerë që e kryejnë qarkullimin e gjakut veç duke marrë nëpër gojë, të tjerët që shiten për të madh e veç pozojnë, por edhe të tjerët e të tjerë që rrinë, mbajnë vesh, qëmtojnë e meditojnë dhe veç në të rrallë e lëshojnë si nëpër pipëz, një pingurimë të hollë e të mjaftueshme për ta paraqitur vetveten. Kuvendi natyrisht ka edhe të tjerë. Ka edhe asish që hiqen për të madh, që filozofojnë nëpër telve të filxhanit të kafes dhe tymnajes dredhaluajtëse të cigares.Ti ndodhesh qoftë edhe rastësisht në mjedisin e tyre dhe në fillim befasoshesh. Ndodhësh sërish dhe vëren se ke marrë diçka prej tyre. Se tash e tutje të pëlqen shoqëria e kuvendi me ata. E ndjen se po hepohesh e po të thith një baltore dhe askush s’po të zgjat dorën të të mbajë. Nis përpjekjen të shpëtosh, por sikur e ndjen që ashtu i vetëm nuk mundesh. Ata si gjindje e shumësi që janë,sikur të thonë në kor: “Edhe ti do të qëndrosh këtu me ne, mes nesh, e kështu si ne!” Ti je ndërkaq në më dyshje. Edhe ti, edhe dytëshori yt, kanë lidhje me atë mjedis. I vëren edhe njëherë, kësaj radhe, më i qetë, që të gjithë ata njerëz që të rrethojnë dhe me të vërtetë nuk dallon tek ata as dashakeqësi, por as ligësi të vërtetë, gjenetike dhe kanosëse.

Ndonëse s’ti ka ënda shumë sjelljet e tyre, ti nuk iu trembesh dhe as që mendon t’iu largohesh vrik. Ata të kanë pritur dhe nderuar. Janë çuar në këmbë teksa ti kalove pragun e odës së miqve. Të kanë dhënë bisedë  e të kanë pyetur hollë e gjatë për udhëtimin në mot të keq, për shëndetin, familjen, punët e ditës dhe “komshiun” e sertë. Të kanë qitur cigare dhe të kanë darovitur paketën. Të kanë sajdisur me çaj e kafe, por edhe të kanë thënë çiltas: Qëndro sonte, me ne! Me ç’të ndodhet... Në vështrimin e syve të tyre nuk ke pikasur as shtirje, as ngrirje e as lëvizje buzësh. Ti qëndron me ta, pse me të vërtetë të kanë quajtur të tyre dhe realisht je i përzier në kuvend. Dhe ke vërejtur se ato mendime që shtjellin i kanë nxjerrë lirshëm, ashtu edhe si i ndjejnë gjërat. E kanë kërkuar edhe gjykimin tënd dhe s’janë lënduar që s’je bashkuar me ta për këtë e atë. Krah;ronin e pulës ta kanë vënë në pjatë edhepse s’u shkove për shtat. Dikush ta ka vërvitur një “fetë” të hidhur, por pa shumë të keq. Dhe aty u tha e aty mbeti. Bishta s’kanë mbetur as në tryezë e as në sofër. As për t’i marrë ti me vete. Për ty të tillë njerëz janë të afërt, janë të një brumi si ti, ndaj edhe dobësitë e tyre të ngjiten si pa u kuptuar.

Pikërisht në këtë natyrshmëri përshkrimi dhe tendenca qëndron edhe një nga vlerat e tregimit e të tregimtarit që në një mënyrë sa popullore aq edhe prej shkrimtari me individualitet, sikur na thotë: ”Po këta, tek e fundit janë njerëzit tanë, shumica përbërëse e gjindjes sonë. ”As të liq e as të përsosur. Veç virtytet t’i kishin më të arrira, siç e pat thënë Bajroni. Si mund të shahet vëllai që është si vetvetja! Aq më tepër që në sjelljen e tyre ka edhe mirëdashje, edhe mikpritje, edhe interesim për fatet, jetët, hallet e tjetrit, edhe afirmim virtytesh e vlerash, edhe mençuri e urtësi të rrjedhura nga përvojat. Po edhe aq dëshirë të ndezur për informacion dhe shkëmbim përvojash, edhe stigmatizim për veset dhe bartësit, edhe konsensus, sepse: ”Mjerë ai që na ngatërrohet me vëlla!” Vese të shkartisura me virtyte dhe virtyte të përfshira me ves. Po kjo është vetë jeta dhe autori i vetëdijshëm për përsosjen tonë si gjendje jep mesazhin: ”T’i lëmë llafet e të kalojmë në vepër, ta pastrojmë veten me vetveten!”

Kritika e mendësisë kolektive

Me një tjerrje satirike tepër elegante autori nuk na shfaqet tendencioz, por e përçon idenë natyrshëm, përmes situatave që përshkruan na çon në ide që kërkon të nënvizojë. Kritikon mendësitë tona kolektive që janë vjetruar, që na kanë penguar dha na pengojnë, që janë bërë edhe limfë e trupit tonë. Kritikon konservatorizmin bashkëkohor, ku vyshken e degradojnë dhe shumë virtyte dhe cilësi orale që u kultivuan në epoka të tjera. Prandaj, le t’i luftojmë e përcëllojmë bashkarisht mikrobet dhe epidemitë tona kolektive. Ndryshe, po ndryshe, edhe nesër, edhe pasnesër, në çdo lindje dhe perëndim të dielllit, ne do të mbetemi me shumë blozë të së djeshmes, përveç xhaketave, deodorantëve dhe markave të makinave që do t’i nderojmë sipas modës.

Tregimi përmban shumë momente humoristike tepër të natyrshme. Të folura autentike dhe dialogë domethënës, kalime të papritura që japin gjallëri dhe masë e proporcione të menduara mirë, qoftë në portretizmin e personazheve, qoftë në shpalimin e situatave. Por sidomos një fjalor tepër efektiv ,mbushur me fjalë të rralla që përdoren natyrshëm dhe në vend të vet: ”Ngarritet, gësterrë, fraq, bërnjak, dahuke, magjetore, i ndulkët, arra gajgë etj., por edhe frazeologji të gjetura si: ”Ecte si kokërr, duke çeptuar prushin, buka marre s’ka, kërkojnë fijen lyç të lëmshit, e vënë në fallaka, flet fushk e dushk,etj. Përmbajtje e formë, ide e gjuhë, tekst e nëntekst, krijojnë një unitet më të mirë se “Miqësia e rreme “...

Adriatik Kallulli

(Tiranë, korrik 1999)


Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm