Menu

Në QKUK “shpëtojnë” shkelësit e ligjit

    • Category: Lajme
    • Hits: 347

Gjatë vitit 2010, QKUK-ja ka pasur 48 aktivitete të prokurimit të anuluara. Nga 105 tenderë që rezultuan me kompani të shpërblyera, 10 prej tyre përfunduan në “gjykatën e tenderëve”. Vetëm në tenderin për furnizim me pajisje medicionale ishte konstatuar tri herë radhazi që QKUK-ja kishte bërë favorizim të kompanive të caktuara e specifika të jashtëligjshme. Megjithatë, në QKUK nuk deklarohen nëse janë marrë masa ndaj ndonjë zyrtari të prokurimit. Lidhur me këto shkelje, dhe të tjera, ata po e presin procesin e auditimit

Në QKUK “shpëtojnë” shkelësit e ligjitVisar Duriqi - Prishtinë, 13 shkurt - 48 tenderë të anuluar, 10 seanca në “gjykatën e tenderëve”, tri prej të cilave rezultojnë me rast të humbur, por asnjë Visar Duriqimasë e marrë ndaj zyrtarëve të prokurimit. Ky është bilanci i aktiviteteve të prokurimit për vitin që lamë pas në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Seria e anulimeve në QKUK filloi me tenderin për furnizim me gazra medicinale për t’u mbyllur me atë për furnizim me bukë 500 gramësh, të anuluar në mungesë të ofertuesve të përgjegjshëm.

Nga këta tenderë të anuluar, ka edhe të atillë që u anuluan pasi që zyrtarët prokurimit në QKUK bën shkelje të rënda të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), siç ishin trajtimi me diskriminim i disa kompanive e vendosja e specifikave të jashtëligjshme nëpër tender.

Megjithëkëtë, në QKUK nuk kanë folur rreth këtyre fakteve. Ata vetëm kanë dhënë një përgjigje përmbledhëse për pyetjet konkrete të “Infopress” lidhur me këtë çështje. “Krejt çka mund të them tash për tash, është se auditimi është në proces të punës së tij, presim ta kemi raportin e auditimit dhe do të veprohet konform rekomandimeve që jep auditori në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

10 % me ankesa

Afro 10 për qind e tenderëve që përfunduan me kompani të shpërblyera në QKUK përfunduan në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur edhe si “gjykata e tenderëve”. Derisa kishin përfunduar me shpalljen e fituesit 105 tenderë, në OSHP u paraqitën 10 ankesa.

Prej këtyre 10 ankesave, 3 prej tyre QKUK-ja i humbi, pasi që kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit.

Tenderi për angazhimin e një kompanie për sigurimin fizik të QKUK-së, përfundoi me 3 ankesa, por që të tria i fitoi QKUK-ja. Po ashtu, për tenderin për hartimin e projektit ideor e zbatues për objektin e Qendrës Emergjente pati një ankesë, e cila lidhje kryesisht me mungesën e specifikimeve të nevojshme për këtë pune, por që OSHP-ja vendosi në favor të QKUK-së. Tenderët e tjerë në të cilët QKUK-ja e fitoi rastin janë edhe ai për furnizim me artikuj ushqimorë, ai për furnizim me procesor për pajisjen “mamograf” si dhe tenderi për furnizim me aparate të anestezionit.

Tenderi problematik

“Furnizim me pajisje medicionale”, ky është tenderi që i ka nxjerrë telashe QKUK-së. Për të njëjtin, në “gjykatën e tenderëve” janë dërguar tri ankesa janë mbajtur po aq seanca dhe gjithherë QKUK-ja ka dalë humbëse e tyre. Çdo herë u vërtetua që në këtë tender ka pasur shkelje.

Herën parë u anulua më 16 qershor 2010, pasi që ishte gjetur që QKUK-ja shkeli së paku tri nene të Ligjit të Prokurimit, ku që të gjitha lidheshin me favorizim të disa kompanive, dhe eliminim të konkurrentëve tjerë. Me këto konstatime ishte pajtuar edhe QKUK-ja dhe e shpalli dhe një herë këtë tender.

I njëjti anulohet edhe më 21 korrik, ankesat ishin të njëjta, por OSHP-ja gjeti se kësaj here nuk qëndronin të gjitha, prandaj QKUK-së iu kërkua vetëm të bëjë përmirësime në tender.

Po ashtu, më 24 nëntor tenderi për furnizim me pajisje medicionale anulohet, pasi që OSHP-ja, gjeti shkelje si në herën e parë. Çuditërisht, në të tria rastet, kompania që ushtroi ankesë ishte “Kosova-Med” nga Prishtina.

Auditori në QKUK

“Krejt çka mund të them tash për tash, është se auditimi është në proces të punës së tij, presim ta kemi raportin e auditimit dhe do të veprohet konform rekomandimeve që jep auditori në lidhje me këtë çështje”, ka thënë për “Infopress”, Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

(INFOPRESS, 14 shkurt 2011)



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm