Menu

Licencë taksie për “dostat” e djalit

    • Category: Lajme
    • Hits: 539

“Infopress” ka provuar të kontaktojë edhe me pronarët e kësaj kompanie, por ata nuk kanë qenë në dispozicion. Derisa Burim Hasani ka deklaruar që është në pushime jashtë vendit, kontakti me Gëzim Idrizin ka qenë i pamundur.
Ndryshe, kjo kompani e radio-taksive ka filluar edhe zyrtarisht të punojë nga 1 gushti. Taksitë e saj mbajnë ngjyrë të bardhë, me reklamën e kompleksit të banesave “Prishtina Stars”, për të cilën në Komunën e Prishtinës nuk kanë dhënë përgjigje se a është bërë me leje.

Komuna e mbyllur për “City Taxi”-it

Edhe pse “Infopress” ka pritur për dy ditë përgjigje nga Komuna e Prishtinës në lidhje me procesin e dhënies së lejes së punë për radio-taksinë më të re në kryeqytet “City Taxi”, këta të fundit kanë qenë të mbyllur për media.

Muhamet Gashi, zëdhënës i komunës, vetëm ka konfirmuar, përmes telefonit, se kjo kompani ka leje pune. “City Taxi” ka leje punë për dhjetë makina. Forma e dhënies së lejes është e rregullt, pasi që kompania ka aplikuar dhe ka përmbushur kriteret që kërkohen me normat ligjore në fuqi”, ka thënë Gashi.

Ai nuk ka komentuar afërsinë e njërit nga pronarët, Gëzim Idrizit, me djalin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, Besnikun.

Reagojnë auto-taksistët individualë

Në lidhje me futjen në treg edhe të një kompanie të radio-taksive, ka reaguar edhe Sindikata e Pavarur e Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë, e cila mbron të drejtat e auto-taksive individualë. Jusuf Azemi, kryetar i saj, në një prononcim për “Infopress”, e ka konsideruar të tepërt futjen edhe të një kompanie në këto shërbime.

“Ne e dimë që ekonomia e tregut, e aplikueshme në vendin tonë, lejon këtë që ka bërë komuna në lidhje me “City Taxin”, por konsiderojmë që Kuvendi Komunal duhet t’i shikojë edhe nevojat. Me plot përgjegjësi them që në Prishtinë ka tepër auto-taksi, e lëre më të jepen leje të reja, qoftë edhe për radio-taksi”, ka thënë ai.

Azemi ka thënë se në lidhje me kompaninë në fjalë nuk kanë marrë asnjë informatë zyrtare, por pa marrë parasysh emrin e kompanisë e as pronarët e saj, ata do të jenë gjithmonë në mbrojtje të auto-taksive individualë.

Azemi: Keqpërdorim me numra

Edhe pse nuk ka konfirmuar se a do të reagojnë publikisht në lidhje me këtë vendim të komunës për kompani të re të radio-taksive, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë, ka thënë se kanë fakte për keqpërdorime të lejeve te auto-taksitë individualë.

“Komuna po jep leje për radio-taksi, kurse te auto-taksitë individualë ka plot probleme e keqpërdorime. Në prej formave të keqpërdorimeve në këtë fushë,me të cilën besoj që duhet të merret Komuna e Policia është që me një numër të auto-taksive individualë po punojnë dy e më tepër makina. Burimet tona e kanë konfirmuar këtë, por nuk do t’i bëjmë publike këto burime, jo pse nuk duam, por pasi s’po ka efekt”, ka thënë për “Infopress” Azemi.

“City Taxit” me “Prishtina Stars”

“City Taxi” është regjistruar si biznes për transportimin e udhëtarëve dhe dhënies me qira të makinave më 2 janar të këtij viti, ku pronarë të tij janë Burim Hasnai e Gëzim Idrizi. Nga Komuna e Prishtinës ky biznes tash ka leje për të operuar si radio-taksi, fillimisht me dhjetë makina leje kjo të cilën e ka fut në funksion më 1 gusht të këtij viti. Makinat e tyre janë të bardha dhe mbajnë reklamën e kompleksit të banesave “Prishtina Stars”. Baza e këtij biznesi është në lagjen “Veternik”, rruga Ferizaj-Prishtinë, afër rrethit.

(INFOPRESS, 6 gusht 2010)



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm