Menu

Futbollistët e KF Ferizaj 3 muaj pa pagesë

User Rating:  / 1
PoorBest 

Sot, Nënkomiteti për Kulturë Rini dhe Sport i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, mbajti një konferenë për media, ku shprehu shqetësimin dhe njëherazi bëri thirrje për reflektim rreth gjendjes së krijuar në KF. Ferizaj. Në konferencë morën pjesë Flamur Istrefi dhe Bardhyl Abazi të cilët theksuan se:

Në kohën kur kontribuuesit dhe veteranët sportiv të qytetit tonë bredhin rrugëve të papunë dhe të lënë pas dore, në klubin futbollistik "KF Ferizaj" angazhohen militantë partiakë të pushtetit aktual në Ferizaj, të tillë që deri dje nuk kanë pasur as interesimin dhe njohuri minimale për sportin në qytetin tonë.

Këta militantë që udhëheqin me klubin futbollistik "KF Ferizaj" në bazë të informacioneve dhe njohurive që kemi, një shumë prej 5000 eurosh që kompanitë publike të Komunës tonë ndanë për klubin, e shpërndanë midis tyre, gjegjësisht mes anëtarëve të kryesisë së klubit. Kjo po ndodhë kur po hyjmë në muajin e tretë që meritorët e vetëm të klubit "lojtarët" nuk kanë marrë paga.

Aq e rëndë është gjendja në këtë klub sa që dhe uji të cilin e pinë futbollistët nuk dihet se është brenda standardeve të higjienës dhe cilësisë. Shumë shpesh për këtë çështje ka pasur shqetësime se nëse uji i pijes për futbollistët vjen nga puset e hapura nga ndërmarrja e Ujësjellësit për të ujitur fushën. Shumëkush mund të thotë që sportistët mund të pajisen me ujë të ambalazhuar për të qenë të mbrojtur, por e vërteta është se për shkak të gjendjes së rëndë financiare dhe kjo do të ishte një luks që nuk do ta përballonin kaq lehtë sportistët.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, bën thirrje që këto veprime të padenja dhe të dashakeqëse nga këta militant që janë fatkeqësisht njëherazi edhe anëtarët e kryesisë së klubit, të ndërpriten menjëherë, pasi po e rrezikojnë edhe atë krenari që i ka mbetur qytetit të Ferizajt.

Nënkomiteti për Kulturë Rini dhe Sport i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, i bën thirrje strukturave komunale kompetente, të ndërhyjnë në përmirësimin e gjendjes së krijuar dhe të mos lejojnë që kompetencat që iu përkasin të dirigjohen nga zyrat dhe selitë e partive në pushtet.

Kërkojmë po ashtu që urgjentisht të merret situata nën kontroll dhe të reflektohet duke krijuar kushtet për zhvillimin normal të djelmoshave tanë që e përfaqësojnë krenarinë e qytetit tonë.

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm