Menu

Lotët e Admir Mehmedit thyen zemrat e shumë tifozëve

User Rating:  / 0
PoorBest 

Të martën kryqin zviceran e ka parë e tërë bota. E kanë parë me miliarda njerëz. Zvicra është një vend i vogël, por me zemër të madhe. Këto janë fjalët e një emigranti tunizian që sot ishte tifozi më i flakët rrugëve buzë liqenit Bodensee.

Eliminimi i Zvicrës nga garat e kampionatit botëror për të ishte vetëm një humbje në fushë që solli një fitore të madhe në zemrat e miliarda njerëzve anembanë botës.

Sot e gjithë bota e di se ku është Zvicra, edhe amerikanët jugorë, edhe ai argjentinas që më pyeti një vit më parë se ku i bjen ky vend e ka parë sot Zvicrën, tregonte me krenari Kerimi që ka kaluar pjesën më të mirë të jetës në këtë vend.

„Ky është temperamenti i juglindorëve, kjo është Zvicra multikulturore me futbollistë që të bëjnë krenarë ta duash e ta puthësh kryqin zviceran", bërtiste tuneziani, i cili ka tri dekada që jeton në Zvicër.

Për dy vajzat e reja zvicerane, Maria dhe Jenny, që prisnin të mërzitura skaj rruge makinat e pakta defiluese, Zvicra luajti shumë mirë, por ishte e pafat në fund të lojës.

Ne luajtëm mirë, thanë ato, por nuk patëm fat. Arbitri nuk e dëshironte Zvicrën më tej, ai referonte kundër nesh, ishin ato njëzëri. Inler është lojtari i preferuar i Marias, dhe ai luajti mirë.

I preferuari i vajzës tjetër, Shaqiri, tashmë ka hyrë në zemrat e shumë të rinjve. Ai është bërë idhull jo vetëm i Jenny-t, por edhe i shumë e shumë zviceranëve të tjerë.

Futbolli sot bashkoi qytetarët e Zvicrës: dhimbshëm e në lotë, por krenarë që u matën dinjitetshëm deri në minutat e fundit të lojës shtesë me njërin ndër ekipet favorite të këtij kampionati, Argjentinën.

Secondot e Zvicrës sfiduan sot emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, si; Messin, Di Marian, Lavezzin, Higuanin.

Secondot e Ballkanit as sot nuk e kënduan himnin, por treguan zemër e sakrificë në fushë, ata e deshën fitoren më shumë se çdo qytetar tjetër i Zvicrës.

Dëshpërimi dhe lotët e Admirit ishin dëshpërim i gjithë vendit. Ishin lotë të një humbje të dhimbshme që nuk e merituam.

Bekim Dalipi / Albinfo.ch

 

 

 



Komento artikullin!


Security code
Fresko kodin e sigurisë!

Autor të ndryshëm