|
Bashkëpunimi Klinaku–Krasniqi sjell këngën kushtuar dëshmorit Skerdilajd Llagami
Këto ditë këngëtari i njohur vushtrrias Shaban Krasniqi realizoi edhe një këngë për dëshmorët, kësaj radhe kushtuar Skerdilajd Llagamit, dëshmorit të kombit nga Tirana, i cili kishte luftuar fillimisht në Kosovë (si komandant në UÇK), pastaj në Preshevë (në UÇPMB) dhe kishte rënë duke luftuar heroikisht në fshatin Begovi afër Tetovës më 29 qershor 2001. (Pas vrasjes së Skerdit, njësia speciale që komandohej prej tij, u pagëzua me emrin "Shpendi", duke marrë pseudonimin që i kishin vënë atij që nga koha kur luftonte në radhët e UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit.)
Sipas këngëtarit Krasniqi, kënga erdhi si rezultat i vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm të tij me profesorin Hysni Klinakun, ky i fundit këto ditë mori titullin “Magjistër i muzikës”. Krasniqi shpreh fjalë miradije për prof. Klinakun, i cili gjithë punën (muzikën, orkestrimin e incizimin), e bëri pa kurrfarë kompensimi. Të dy shprehen të kënaqur me punën dhe realizimin e këngës e cila lansohet pikërisht në përvjetorin e nëntë të rënies së dëshmorit Llagami. Duhet përmendur se teksti u mor nga përmbledhja e poezive të Bardhyl Llagamit (babai i dëshmorit) me titull “Krahët e Shpendit”. “Krahët” u referohen shokëve të luftës të dëshmorit me pseudonimin “Shpendi”. Kënga po ashtu është lansuar edhe në Youtube. Para pak kohe këngëtari Shaban Krasniqi incizoi edhe këngën e njohur me motive atdhetare “Për ty atdhe” të cilën Arbër Krasniqi e ka riorkestruar dhe incizuar./Hajdin ISLAMI
|