|
Udhëtimi (në qiell) me Lorik Canën
Ajo që më bëri përshtypje të madhe ishte përkushtimi deri në dashuri i Lorikut për arkeologjinë shqiptare. Dua t’i tregoj botës se shqiptarët janë autoktonë dhe kanë një civilizim të lashtë, shprehet Loriku për “Telegraf”. Këtë e dëshmon edhe tatuazhi në krahun e tij, një mbrojtëse ilire, të cilën Loriku e mban me krenari.
Kam bërë tridhjetë vjet që punoj gazetar dhe është hera e parë që shkruaj për një sportist (futbollist), ndonëse jam adhurues i zjarrtë i sportit, veçanërisht i futbollit profesionist. Mbase duhej pritur çasti (mbreti i botës) dhe ai befas erdhi, gati padiktueshëm dhe kur nuk e prisja. Më rastisi të udhëtoj në një kupë me futbollistin e kalibrit evropian, anëtarin e rregullt të Sanderlendit të Anglisë dhe të Kombëtares sonë, Lorik Cana. Derisa po udhëtonim (në qiell) me aeroplan, më bëhej se në qiellin e trazuar po udhëtoja me një yll të qetë dhe modest e fjalëmbël. Gjatë dyzet minutave rrugë qiellore, biseduam për futbollin dhe shume tema interesante. Modest, simpatik, i dashur dhe komunikativ, Lorik Cana tregon për hapat e parë në futboll dhe suksesin e tij në masë të madhe ia dedikon babait të tij, ish-futbollistit të njohur te Prishtinës, Agim Cana, por edhe nënës dhe dy motrave të tij, të cilat vazhdimisht i janë gjetur pranë dhe e kanë mbushur me vetëbesim dhe siguri.
Dashuria e Lorikut për arkeologjinë
Mirëpo, ajo që më bëri përshtypje të madhe ishte përkushtimi deri në dashuri i Lorikut për arkeologjinë shqiptare. Madje, Loriku theksoi se pas përfundimit të karrierës si futbollist do të merret intensivisht me arkeologji dhe nxori nga çanta sportive librin e Avni K. Këpuskës "Qenësia e territorit dhe e kufijve etnike autoktone të Kosovës" (etnologjia e popullit shqiptar që nga lashtësia iliro-dardane e Kosovës e deri
në ditët e sotme). Dua t'i tregoj botës se shqiptarët janë autoktonë dhe kanë një civilizim të lashtë, shprehet Loriku (emrin ia ka vënë xhaxhai, historiani i njohur, prof. Zekeria Cana), i cili më tregon tatuazhin, ku shihet mbrojtësja ilire prej çeliku. Për këtë edhe Loriku m’u duk se ishte zemër çeliku. Për të bërë pak shaka në qiell, iu drejtova Lorikut me këto fjalë: "Lorik, a po e sheh se ende jemi në qiellin shumë të trazuar, të zbresin në tokë dhe pastaj bisedojmë për nën¬tokën, arkeologjinë. Loriku, zemër çeliku, si virtuoz që është, tha se të gjithë do të përfundojmë në nëntokë herët a vonë dhe pastaj bëhemi vlerë arkeologjike...
|